Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pranuar ftesën e Presidentit amerikan Donald Trump për të marrë pjesë në Bordin e Paqes, duke e cilësuar këtë një privilegj dhe nder. Rama bëri të ditur se angazhimi i tij do t’i përcillet së shpejti Kuvendit për miratim.
Në përgjigjen dërguar Trump, Rama thekson rëndësinë e veprimit aktiv për ndërtimin e paqes në një kohë kur konfliktet dhe përçarja dominojnë skenën ndërkombëtare. Ai e përshkruan Bordin e Paqes si një instrument konkret për udhëheqje dhe përgjegjësi globale, jo thjesht si një forum deklaratash.
Rama ritheksoi gjithashtu se Shqipëria ka qenë gjithmonë aleate e palëkundur e Shteteve të Bashkuara, e lidhur nga vlera të përbashkëta dhe përkushtim ndaj lirisë, demokracisë dhe sigurisë ndërkombëtare. Ai shprehu gatishmërinë për të kontribuar në misionin e Bordit dhe për të përkthyer vizionin e paqes në veprim.




