Gjykata Supreme e Kosovës njofton opinionin publik se ka ndërmarrë të gjitha veprimet brenda kompetencave të saj lidhur me aktgjykimin P.A.nr.16/2025. Me këtë vendim, Gjykata shpalli të paligjshme dhe shfuqizoi disa nene të Udhëzimit Administrativ nr. 05/2015, që lidhen me procedurat e lajmërimit, suspendimit dhe kthimit të mjeteve për keqpërdorim të pensioneve.
Vendimi iu dorëzua palëve në procedurë dhe u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, duke marrë efekt juridik të plotë. Gjykata Supreme thekson se përgjegjësia për zbatimin e këtij aktgjykimi bie mbi institucionet ekzekutive, pasi gjykata nuk ka kompetencë ligjore për të monitoruar zbatimin e vendimeve nga institucionet e tjera.
Vendimet gjyqësore janë të detyrueshme për zbatim, dhe çdo mosrespektim i tyre përbën shkelje të parimit të sundimit të ligjit. Aktgjykimi dhe njoftimi përkatës janë të publikuara edhe në faqen zyrtare të Gjykatës Supreme.




