Deputeti i LDK-së dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka vlerësuar se sektori i shëndetësisë ndodhet në nivelin më të ulët të përgjegjësisë institucionale. Sipas tij, gjatë këtij mandati qeverisës janë shënuar degradime serioze, të shoqëruara me skandale dhe afera të vazhdueshme.
Zemaj ka theksuar se profesionistët shëndetësorë po përballen me presione të papranueshme, duke u cenuar dinjiteti i tyre dhe duke u krijuar hapësirë abuzimeve. Ai ka kërkuar hetim të plotë dhe të pavarur për të gjitha aferat, duke shtuar se dorëheqjet janë minimumi i përgjegjësisë institucionale.




