Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka deklaruar se ai dhe bashkëluftëtarët e tij besojnë fuqimisht se ish-krerët e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi – do të shpallen të pafajshëm në Gjykatën Speciale në Hagë.
Deklarata e tij u bë pas homazheve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në përkujtim të 28-vjetorit të sulmit të dytë ndaj familjes Jashari. Gucati theksoi se shpreson në një proces të drejtë, jo “selektiv apo politik”, duke e cilësuar drejtësinë si “të mirëfilltë evropiane”.
Ai gjithashtu konfirmoi se ka kërkuar të jetë prezent në Hagë për dëgjimin e ish-udhëheqësve dhe pret leje për këtë. Për më tepër, Gucati dhe veteranët e tjerë do të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar për 17 shkurt, organizuar nga platforma “Liria ka Emër”, ku do të kërkohet drejtësi për ish-luftëtarët e UÇK-së.
Në Gjykatën Speciale në Hagë përfundoi afati për dorëzimin e dosjeve përfundimtare, ndërsa nga 9 deri më 18 shkurt janë parashikuar fjalët përfundimtare. Gjykata ka tre muaj kohë për të nxjerrë aktvendimin e shkallës së parë, me mundësi për dy muaj shtesë.




