Në kohën e shpërqendrimeve të pafundme nga video, mesazhe dhe email-e, aftësia për të mbajtur fokusin po dobësohet. Studimet tregojnë se britanikët arrijnë të përqendrohen mesatarisht vetëm 17 minuta e 10 sekonda në një detyrë, ndërsa dëgjimi i vëmendshëm i partnerit zgjasë pak më shumë se 19 minuta.
Psikologët kanë krijuar një test të thjeshtë online për të matur sa shpesh humbet vëmendja gjatë aktiviteteve të përditshme. Ky test nuk mat inteligjencën, por aftësinë për të ruajtur fokusin, e cila sipas neurologëve është e stërvitshme.
Dr. Faye Begeti nga Universiteti i Oksfordit shpjegon se truri ka aftësinë të rindërtohet përmes neuroplasticitetit, dhe ndërtimi i një “rezerve njohëse” mund të vonojë shfaqjen e demencës. Ajo jep tre hapa praktikë për të përmirësuar fokusin:

- Vlerësoni përqendrimin dhe identifikoni shkaktarët: Monitoroni momentet kur shpërqendroheni dhe përpiquni të rifokusoheni. Multitaskingu nuk funksionon, pasi truri kalon shpejt nga një detyrë te tjetra, duke ulur produktivitetin dhe shkaktuar lodhje.
- Uleni shpërqendrimet dhe kujdesuni për shëndetin e trurit: Zgjidhni aktivitete që sfidojnë trurin dhe kujdesuni për shëndetin e përgjithshëm. Faktorë si mbipesha, humbja e dëgjimit dhe tensioni i lartë i gjakut mund të ndikojnë negativisht në funksionin truror.
- Ndërtoni rezervë njohëse: Kjo aftësi i ndihmon trurit t’i bëjë ballë dëmtimit dhe plakjes. Aktivitetet që stimulojnë trurin, si udhëtimet, mësimi i një gjuhe të re apo fjalëkryqet, forcojnë fokusin dhe mbrojnë shëndetin mendor në vitet e mëvonshme.
Ndryshimet e vogla, por të qëndrueshme, mund të përmirësojnë fokusin, të mprehin vëmendjen dhe të mbrojnë trurin për të ardhmen.




