Visar Azemi nga LDK, ka kritikuar ashpër rikthimin e reduktimeve të energjisë elektrike në Kosovë, duke e cilësuar si dëshmi të menaxhimit të dështuar të sektorit energjetik. Ai tha se Qeveria aktuale nuk ka investuar asnjë euro në kapacitete të reja prodhuese, ndërkohë që qytetarët kanë shpenzuar mbi 1 miliard euro për import të energjisë elektrike.
Azemi akuzoi qeverinë për paaftësi ose për kapje të sektorit energjetik, duke përmendur edhe emra konkretë që lidhen me atë që ai e quajti “mafia energjetike”. Ai kritikoi gjithashtu emërimet partiake dhe familjare në institucionet energjetike, duke përmendur emërimin e nipit të deputetit të VV-së, Ejup Maqedonci, në pozitë drejtuese në KOSTT.
Sipas Azemit, pasojat e keqmenaxhimit po i vuajnë qytetarët, duke përfshirë ndërprerjen e mësimit në shkolla, reduktime në spitale dhe institucione shëndetësore, si dhe probleme në administratën publike. Ai kërkoi hetime të menjëhershme nga institucionet e drejtësisë dhe auditim të plotë të shitblerjeve të energjisë, si dhe nisjen e investimeve në kapacitete të reja prodhuese, duke rikujtuar ndërtimin e centralit me gaz si zgjidhje për sigurinë energjetike të Kosovës.




