Zëvendëskryeministri i parë në detyrë, Besnik Bislimi, ka marrë pjesë në takimet e dialogut Kosovë–Serbi në Bruksel, në nivel të kryenegociatorëve, ku fokusi kryesor ishte funksionalizimi i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur me Dhunë.
Pas takimeve, Bislimi bëri të ditur se diskutimet janë zhvilluar kryesisht në format bilateral me Bashkimin Evropian dhe palën serbe, me synim zbatimin e marrëveshjes së arritur më herët ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq.
Ai theksoi se takimet kanë përfunduar me marrëveshje për funksionalizimin e komisionit, ndërsa në javët në vijim priten takime për përcaktimin e prioriteteve të punës.
Sipas Bislimit, çështje të tjera të dialogut janë prekur shkurt, por lëvizje konkrete priten pas formimit të Qeverisë së re.




