Studime të fundit tregojnë se konsumimi i rregullt i peshkut, i pasur me acide yndyrore omega-3, redukton rrezikun e vdekjes së parakohshme dhe mbrojnë shëndetin kardiovaskular.
Studimi i publikuar në Journal of Internal Medicine mbi 400 mijë persona tregoi se burrat që konsumojnë më shumë peshk kanë 9% rrezik më të ulët për vdekje, ndërsa gratë 8%. Peshku zvogëlon rrezikun për sëmundje të mëlçisë, frymëmarrjes, kardiovaskulare dhe kancer, si dhe sëmundje neurodegjenerative si Alzheimer tek gratë.
Ai është një burim i shkëlqyer proteinash me cilësi të lartë, vitaminash (A, D, B), mineraleve si fosfor, kalcium dhe jod, dhe yndyrnave të shëndetshme omega-3.
Përfitimet më të mëdha sigurohen kur peshku gatuhet në zgarë, avull ose furrë, ndërsa peshku i skuqur në sasi të mëdha mund të jetë i dëmshëm. Konsumi i peshkut është veçanërisht i rëndësishëm gjatë shtatzënisë për zhvillimin e trurit dhe sistemit nervor të fetusit.




