Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar figurën historike të Isa Boletinit, duke theksuar rolin e tij në rrugën drejt lirisë së shqiptarëve.
Në një mesazh për përvjetorin e rënies së Boletinit, Haradinaj tha se emri i tij do të mbetet i përjetshëm në kujtesën e shqiptarëve. Ai vlerësoi guximin e Boletinit dhe të gjithë ata që për shekuj luftuan për liri, duke e lidhur këtë me veprën e UÇK-së, që realizoi ëndrrën e një Kosove të lirë.
“Pa nismëtarë si Isa Boletini, Kosova nuk do të guxonte të ëndërronte lirinë. Por ai guxoi një shekull para nesh, guxuan ata para tij dhe guxuan edhe pas tij. Gjithçka kulmoi kur UÇK-ja përjetësoi ëndrrën e tij dhe të çdo shqiptari, Kosovën e lirë. Sot, në përvjetorin e rënies së tij, përkulemi me nderim para veprës së tij. I përjetshëm,” shkroi Haradinaj.




