Prerja ilegale e pyjeve vazhdon të mbetet një nga problemet kryesore të sektorit të pylltarisë në Kosovë, duke shkaktuar dëme të mëdha ekonomike dhe mjedisore. Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë Pyjore të Kosovës, Menderes Ibra,për Ekonomia Online ka deklaruar se megjithëse ka trend të lehtë të rënies, ky fenomen vazhdon të jetë i pranishëm në terren.
Sipas tij, institucionet përkatëse, përfshirë rojet e pyjeve, janë duke punuar vazhdimisht për ta luftuar prerjen ilegale. Ibra theksoi se Agjencia Pyjore ka përfituar mbështetje të rëndësishme ndërkombëtare përmes projektit për menaxhim të qëndrueshëm të pyjeve, duke u pajisur me automjete, dronë dhe trajnime për rritjen e kapaciteteve profesionale të stafit.




