Tiranë – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Cargo 2”, në kuadër të veprimeve kundër trafikimit të lëndëve narkotike. Në pranga kanë rënë tre shtetas që në bashkëpunim furnizonin disa grupe shpërndarësish me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë.
Gjatë operacionit janë sekuestruar 1 kg e 36.6 gramë kokainë, 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjahu, 121 000 euro, 60 milion lekë, 5 000 paund, automjeti i përdorur dhe 5 aparate celular.
Në Unazë të Madhe, pranë rrethrrotullimit të Tegut, shërbimet e Policisë lokalizuan automjetin tip “Escalade” me shtetasit E. M., 26 vjeç, I. C., 33 vjeç dhe A. K., 32 vjeç. Gjatë kontrollit u gjetën dhe sekuestruan lëndë narkotike dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Shtetasit e arrestuar, në bashkëpunim, siguronin kokainë dhe e shpërndanin në zona të ndryshme të Tiranës. Materialet procedurale janë dorëzuar në Prokurori për veprime të mëtejshme.




