Në Klinë është zbuluar pllaka përkujtimore e Heroit të Kombit Abedin Rexha “Sandokani”, në një ceremoni zyrtare për nderimin e veprës së tij heroike. Ngjarja u zhvillua në prani të familjarëve, bashkëluftëtarëve, përfaqësuesve të institucioneve dhe qytetarëve.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, theksoi se kujtimi i dëshmorëve duhet të jetë i përhershëm dhe nuk duhet kufizuar vetëm në data përkujtimore. Ndërsa ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës dhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, deklaroi se pa luftën e drejtë të UÇK-së nuk do të ishte e mundur të gëzoheshin liritë dhe arritjet e sotme, duke premtuar përjetësimin e Kullës së Abedin Rexhës dhe objekteve të tjera historike.
Ceremonia u përmbyll me recitime përkujtimore nga bashkëluftëtarët, që reflektuan personalitetin dhe frymën luftëtare të Sandokanit, si simbol të sakrificës dhe qëndresës kombëtare.




