Pas punësimit të vajzës së tij, edhe dhëndri i kryetarit të Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, është punësuar në Institucionin e Avokatit të Popullit.
Leotrim Gërmizaj, dhëndri i Muharremajt, më 26 nëntor 2025 është njoftuar se ka fituar pozitën e Këshilltarit Juridik në Zyrën Rajonale të Avokatit të Popullit në Prizren, duke grumbulluar 76 pikë në procesin e vlerësimit.
Gazeta Insajderi ka kërkuar një koment nga Gërmizaj dhe kryetari Muharremaj lidhur me mundësinë e konfliktit të interesit, por nuk ka marrë përgjigje nga asnjëri.
Institucioni i Avokatit të Popullit ka deklaruar se të gjitha procedurat e punësimit janë zhvilluar sipas legjislacionit dhe rregulloreve të brendshme, duke përfshirë konkurse publike dhe transparente. Pozicionet e reja propozohen nga drejtorët e departamenteve dhe miratohen nga Sekretari i Përgjithshëm, sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë.
Ndërkaq, vajza e kryetarit, Duresa Muharremaj, punon gjithashtu në këtë institucion, në pozitën e Zyrtares Juridike për Pranim dhe Administrim të Ankesave./GazetaInsajderi/




