Në Prokurorinë Themelore në Prizren u zhvillua një takim pune me përfaqësues nga Prokuroria e Kukësit, Policia e Trafiqeve në Tiranë, Policia për Hetimin e Trafikimit dhe Kontrabandimit me Migrantë, si dhe Departamenti për Kufij i Policisë së Kosovës.
Takimi, i drejtuar nga prokurorja e Departamentit për Krime të Rënda, Ervehe Gashi, kishte për qëllim thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkufitar për luftimin e kontrabandimit me migrantë.
U diskutua shkëmbimi i informatave, koordinimi i veprimeve hetimore dhe mekanizmat për një reagim më efikas ndaj këtij fenomeni. Pjesëmarrësit ranë dakord për vazhdimin e komunikimit të rregullt dhe forcimin e bashkëpunimit praktik për parandalimin e kontrabandës dhe krimit të organizuar ndërkufitar.




