Gjykata Themelore e Prishtinës ka shpallur vendimin për tre të akuzuarit për vrasjen e ndodhur në vitin 2001 në “Inter Klub” në Prishtinë. Labeat Kastrati, Hamdi Mavriqi dhe Fahri Kajtazi janë dënuar me gjithsej 22 vjet e 5 muaj burgim.
Kastrati është dënuar me 13 vjet e 11 muaj për vrasje dhe vrasje në tentativë, duke përfshirë edhe kohën e kaluar në paraburgim. Fahri Kajtazi ka marrë 4 vjet e 6 muaj burg, ndërsa Hamdi Mavriqi 4 vjet për veprën e “vrasjes në tentativë”. Gjykata ka urdhëruar gjithashtu konfiskimin e armëve të përdorura dhe pagesën e shpenzimeve gjyqësore nga secili i akuzuar.
Rasti ka kaluar në rigjykim pas ankesave të prokurorisë dhe mbrojtësve të të akuzuarve, ndërsa aktakuza tregon se ngjarja ndodhi pas një përleshjeje në klub, gjatë së cilës një predhë goditi viktimën A.M., i cili më pas ndërroi jetë në spital.
Ky vendim shënon përfundimin e një procesi të gjatë gjyqësor që ka filluar që nga viti 2002 dhe ka kaluar përmes Gjykatës së Qarkut dhe Gjykatës Supreme.




