Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar procesi gjyqësor ndaj Bedri Shabanit dhe Qerim Qerimit, të akuzuar për spiunazh, ku kanë dëshmuar tri eksperte të psikiatrisë forenzike. Ato kanë prezantuar raportin e Institutit të Psikiatrisë Forenzike, sipas të cilit Bedri Shabani konsiderohet i aftë për të marrë pjesë në gjykim dhe për t’u përballur me procedurën gjyqësore.
Kërkesa për ekzaminim psikiatrik ishte paraqitur nga mbrojtja e Shabanit dhe ishte miratuar nga gjyqtari Rrahman Beqiri. Një vlerësim të ngjashëm kishte dhënë edhe psikiatri i burgut të Gjilanit, Ngadhënjim Rexhepi.
Seancat në këtë rast janë shtyrë dy herë më herët: herën e parë më 22 shtator për shkak të angazhimeve urgjente të avokatit mbrojtës, ndërsa herën e dytë më 13 nëntor, kur vetë i akuzuari kishte kërkuar shtyrje duke u thirrur në gjendjen e tij shëndetësore dhe terapinë që po merrte.




