Zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder, ka njoftuar se më shumë se 90% e shkollave në Rripin e Gazës janë dëmtuar ose shkatërruar pas dy vjet e gjysmë sulmesh.
Ai tha se 60% e fëmijëve në moshë shkollore nuk kanë qasje fizike në arsim dhe mbi 335 mijë fëmijë nën pesë vjeç përballen me rrezik të vonesave në zhvillim për shkak të prishjes së shërbimeve të hershme për fëmijët.
“Ky nuk është vetëm shkatërrim fizik, por një sulm ndaj të ardhmes. Rindërtimi i shkollave dhe universiteteve duhet të jetë prioritet i rimëkëmbjes së Gazës,” theksoi Elder, duke shtuar se UNICEF mbështet aktualisht mbi 100 qendra mësimi dhe po punon me partnerët për rikthimin e fëmijëve në shkolla.
Ai bëri thirrje për fonde urgjente: UNICEF-it i duhen 86 milionë dollarë për të mbështetur 336 mijë fëmijë në moshë shkollore për pjesën e mbetur të këtij viti, duke përfshirë edhe shërbimet e shëndetit mendor.




