Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka vendosur të rishikojë kurrikulat dhe programet mësimore për arsimin fillor (klasat 1-5) dhe të mesëm të ulët (klasat 6-9).
Ministrja Arbërie Nagavci tha se ky proces synon përmirësimin e cilësisë së arsimit, ngritjen e rezultateve të nxënësve dhe zhvillimin e kompetencave dhe shkathtësive të tyre.
Sipas ministres, rishikimi i kurrikulave do të sigurojë koherencë me dokumentet strategjike dhe nevojat e kohës, duke mundësuar gjithashtu zhvillimin e teksteve dhe burimeve mësimore cilësore, si dhe lehtësimin e ngarkesës për nxënësit.
Ky proces pritet të ndikojë pozitivisht në cilësinë e të nxënit dhe në arritjet e nxënësve në të gjitha nivelet e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët.




