PDK ka kërkuar që urgjentisht të zbardhet se kush është përgjegjës për ligjëratën që pretendueshëm u mbajt në gjimnazin “Xhevdet Doda” nga përfaqësues të Gjykatës Speciale.
Përparim Gruda nga PDK e ka quajtur ligjëratën propagandë kundër Kosovës, NATO-s dhe Perëndimit, duke theksuar se nxënësve, shumica nën moshën 18-vjeçare, iu janë paraqitur pretendime njëanshme që etiketonin ish-krerët e UÇK-së si përgjegjës për krime lufte.
Ai kërkoi llogari nga MASHT për mënyrën se si është lejuar që këto ligjërata të mbahen pa mbikëqyrje institucionale dhe standarde profesionale, duke paralajmëruar se narrative e shtrembëruar po tenton të futet në bankat e shkollave dhe të ndikojë tek nxënësit e mitur.
Gruda theksoi se kjo qasje është e papranueshme dhe skandaloze, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës kolektive dhe edukimit të drejtë për historinë e luftës çlirimtare.




