Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Kosova ka shprehur gatishmërinë për t’u angazhuar në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën, duke synuar jo vetëm pjesëmarrje operative, por edhe përfshirje në strukturat politike vendimmarrëse të këtij misioni.
Ai tha se Kosova është përfaqësuar në konferencën e mbajtur në Doha të Katarit nga komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral-lejtënant Bashkim Jashari. Sipas Kurtit, FSK-ja gëzon reputacion ndërkombëtar veçanërisht në fushat e kërkim-shpëtimit dhe deminimit, si dhe në misione të tjera me karakter humanitar dhe stabilizues.
“Si Republikë e Kosovës kemi shprehur vullnetin për të qenë pjesë e kësaj force stabilizuese ndërkombëtare. Duke qenë se angazhimi ynë nuk është vetëm simbolik, kemi kërkuar gjithashtu përfshirje në mekanizmat politikë të vendimmarrjes së këtij misioni. Procesi do të vazhdojë edhe në fazat e ardhshme”, deklaroi Kurti.
Ai theksoi se, ndonëse është ende kryeministër në detyrë, Kosova synon të kontribuojë kudo që ka nevojë për paqe. “Ne kemi përfituar nga prania e forcave ndërkombëtare për paqen në vendin tonë, dhe tani dëshirojmë të japim kontributin tonë me kapacitetet që kemi”, u shpreh ai.
Sa i përket situatës në Gazë, Kurti kujtoi se Qeveria e Kosovës ka ndarë 500 mijë euro ndihmë financiare dhe se angazhimi institucional për këtë çështje do të vazhdojë edhe më tej.




