Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se është ndaluar importi i deleve dhe dhive nga Republika e Maqedonisë së Veriut. Vendimi është marrë pas konfirmimit të sëmundjes Lija e dhenve dhe dhive në zonën Lipkovo, sipas raporteve zyrtare të ADIS dhe Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH).
Sipas njoftimit, ndalohet importi jo vetëm i kafshëve të gjalla, por edhe i nënprodukteve të tyre, përfshirë lëkurën, leshin dhe produktet me origjinë nga këto kafshë që nuk janë të trajtuara termikisht.
Kjo masë hyn menjëherë në fuqi dhe do të qëndrojë në zbatim deri në një vlerësim të mëtejshëm nga autoritetet ndërkombëtare dhe AUV. Publiku dhe operatorët ekonomikë do të informohen për çdo ndryshim eventual.




