Pijet e gazuara, të cilat janë të pranishme gjerësisht në tryezat familjare dhe në festa, mund të përbëjnë një rrezik të konsiderueshëm për shëndetin. Sipas një studimi të fundit të Këshillit të Kancerit të Viktorias në Universitetin e Melburnit, konsumimi i një pije të gazuar në ditë lidhet me një rritje të dukshme të rrezikut për disa lloje kanceri.
Studimi analizoi 3,000 raste të 11 llojeve të ndryshme të kancerit gjatë një periudhe dhjetëvjeçare, duke përfshirë kancerin e gjirit, mëlçisë dhe prostatës. Rezultatet treguan se lidhja mes konsumit të pijeve të gazuara dhe rrezikut për kancer ishte e pavarur nga faktorë si obeziteti apo gjendja shëndetësore.
Drejtuesi i studimit theksoi se pijet me sheqer, përfshirë ato joalkoolike, tashmë njihen për efektet negative në organizëm, duke rritur rrezikun jo vetëm për disa lloje kanceri, por edhe për diabetin tip 2, sëmundjet e zemrës dhe dëmtimin e dhëmbëve.
Ekspertët këshillojnë që konsumimi i këtyre pijeve të jetë i kufizuar, sidomos për ata që duan të ruajnë shëndetin afatgjatë.




