Organizata e Veteranëve të Luftës ka shënuar sot 29-vjetorin e rënies së Edmond Hoxhës, Zahir Pajazitit dhe Hakif Zejnullahut, përmes homazheve dhe vendosjes së kurorave me lule. Në këtë aktivitet përkujtimor morën pjesë bashkëluftëtarë, familjarë dhe qytetarë të shumtë.
Në njoftimin e saj, Organizata e Veteranëve theksoi se këta dëshmorë ishin ndër të parët që thyen heshtjen dhe dëshmuan vendosmërinë e shqiptarëve për liri dhe shtetësi. Sipas tyre, sakrifica e tyre u bë themel i rezistencës dhe i çlirimit të Kosovës.
Gjatë kësaj dite u bë homazh edhe për Dëshmorin e Kombit, Ragip Hasanmetaj, në Strellc të Epër.
“Sakrifica dhe gjaku i tyre mbeten të gdhendura përgjithmonë në kujtesën kombëtare”, thuhet në mesazhin përmbyllës të Organizatës së Veteranëve, e cila e mbylli përkujtimin me thirrjen: “Lavdi e përjetshme Dëshmorëve të Kombit!”




