Pas më shumë se dy dekadash pritjeje dhe ankthi, familja Koci nga Gjakova i dha lamtumirën e fundit Rasim Koçit, eshtrat e të cilit u varrosën në Varrezat e Martirëve në Çabrat.
Rasim Koci ishte vrarë dhe zhdukur më 1 prill 1999 nga forcat serbe dhe bashkëpunëtorët e tyre, në afërsi të fshatrave Osekë dhe Sylë. Që nga ajo kohë, fati i tij kishte mbetur i panjohur për familjarët.
Ali Koci, familjar i të ndjerit, tha se edhe pse dhimbja mbetet, gjetja e eshtrave përfaqëson një lloj lehtësimi pas një pritjeje të gjatë. Ai theksoi se familja e tyre ka përjetuar humbje të rënda në luftëra të ndryshme dhe shprehu shpresën që edhe të pagjeturit e tjerë të gjenden dhe të prehen në vendlindje.
Në ceremoninë mortore mori pjesë edhe përfaqësuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, i cili theksoi se Serbia ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të fshehur gjurmët e krimeve të kryera gjatë luftës. Ai shtoi se ende mbi 1.500 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur, duke e cilësuar këtë një plagë të hapur për familjet dhe shoqërinë kosovare.
Para ceremonisë së varrimit, në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë, qytetarë të shumtë u mblodhën për të nderuar jetën dhe kujtimin e Rasim Kocit.




