Rinia Demokratike e Kosovës ka organizuar një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës për të shprehur pakënaqësinë lidhur me rritjen e çmimeve të energjisë elektrike.
Përfaqësues të kësaj organizate theksuan se kriza energjetike po ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve.
Sekretari i Rinia Demokratike e Kosovës, Argjend Gjata, tha se shumë familje po përballen me vështirësi serioze financiare për shkak të faturave të larta të rrymës, ndërsa kritikoi Qeverinë për, sipas tij, mungesë të veprimeve konkrete dhe bllokim të investimeve në sektorin energjetik.
Ai shtoi se përgjegjësia për situatën aktuale nuk mund t’u faturohet qytetarëve, por institucioneve që nuk kanë siguruar prodhim të mjaftueshëm vendor të energjisë.




