Pas shtatë orësh diskutimi në Bruksel më 22 janar, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për funksionalizimin e Komisionit për Personat e Pagjetur gjatë luftës në Kosovë. Takimi u udhëhoq nga emisari evropian për dialogun, Peter Sorensen.
Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, shprehu shqetësime se Serbia mund të mos zbatojë vendimet e komisionit, veçanërisht sa i përket qasjes në arkivat ushtarake serbe. Ai shtoi se qëllimi i tij ka qenë gjithmonë përfshirja e Bashkimit Evropian për të ushtruar presion mbi Serbinë në çështjen e personave të zhdukur.
Hoti theksoi se marrëveshja është një hap i rëndësishëm, por zbatimi i saj do të varet nga gatishmëria e Serbisë dhe roli i Bashkimit Evropian në monitorimin e procesit. Ai bëri me dije se kërkesat e Kosovës janë publike dhe do të ripërsëriten në takimet e ardhshme të komisionit.




