Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka vlerësuar se bashkëqeverisja e AAK-së me PDK-në në këtë komunë ka ndikim pozitiv, duke mundësuar avancim të shërbimeve komunale, administratës dhe projekteve kapitale për qytetarët.
Latifi ka theksuar mungesën e mbështetjes nga niveli qendror, veçanërisht për projekte si trajtimi i shtratit të lumit Drini i Bardhë, rrugët rajonale dhe ndërtimi i impiantit të ujërave të zeza. Ai paralajmëroi se Drini i Bardhë po bëhet burim i përmbytjeve dhe dëmton tokat bujqësore, bizneset dhe mirëqenien e qytetarëve.
Kreu i komunës tha se pavarësisht ndërhyrjeve të komunës në disa projekte të ujërave të zeza, nevojitet një angazhim më serioz nga qeveria dhe mbështetje financiare për projekte të mëdha që ndikojnë direkt në cilësinë e jetës dhe zhvillimin ekonomik të Rahovecit.




