Ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës ka hapur thirrjen për operatorët ekonomikë të transportit për të operuar në linjat që nuk janë ekonomikisht profitabile.
Qëllimi i kësaj mase është të përmirësohet transporti publik, veçanërisht në komunat e veriut të Kosovës, duke garantuar qasje më të mirë në shërbime dhe lehtësuar lëvizjen e qytetarëve.
“Ky është një hap konkret për të garantuar qasje më të mirë në shërbime, lëvizje më të lehtë dhe trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët, pavarësisht zonës ku jetojnë. Zotimet po i kthejmë në veprime konkrete”, ka shkruar Durmishi në Facebook.
Të gjithë operatorët ekonomikë të interesuar ftohen të aplikojnë pranë Departamentit të Transportit në MMPHI, brenda afateve të përcaktuara në thirrjen publike.




