Bashkimi Evropian ka vlerësuar se procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk është cenuar nga zhvillimet që lidhen me emrin e ish-emisarit Miroslav Lajçak.
Zyrtarë evropianë theksojnë se dialogu mbetet një proces institucional dhe i qëndrueshëm, i pavarur nga individë të veçantë.
Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Anitta Hipper, ka deklaruar se dialogu është në pronësi të palëve dhe udhëhiqet nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, ndërsa monitorohet vazhdimisht nga shtetet anëtare.
Sipas saj, zhvillimet që lidhen me persona të veçantë nuk e prekin thelbin dhe vazhdimësinë e procesit.
Ajo ka rikujtuar se dialogu Kosovë–Serbi ka nisur në vitin 2011 dhe ka vazhduar pavarësisht ndryshimeve politike dhe personale në strukturat ndërmjetësuese.
Ndërkohë, në dokumente të publikuara nga autoritetet amerikane, emri i Miroslav Lajçakut përmendet në kontekst të komunikimeve me Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale. Sipas këtyre materialeve, komunikimet përfshijnë tema të ndryshme, përfshirë çështje politike dhe personale.
Pas publikimit të këtyre dokumenteve, Lajçak ishte detyruar të largohej nga pozita e këshilltarit të kryeministrit të Sllovakisë. Ai kishte mohuar fillimisht çdo kontakt, por më vonë u përball me prova që e kundërshtonin këtë qëndrim.
Lajçak ka qenë i angazhuar për më shumë se dy dekada në Ballkanin Perëndimor në emër të Bashkimit Evropian dhe ka udhëhequr dialogun Kosovë–Serbi për rreth pesë vjet, deri në fillim të vitit 2025, proces gjatë të cilit shpesh ishte kritikuar për qasje të njëanshme.




