Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, së bashku me zëvendësguvernatorët dhe stafin e BQK-së, ka pritur në Prishtinë Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i cili po qëndron në Kosovë në kuadër të konsultimeve të rregullta sipas Nenit IV të Marrëveshjes me vendet anëtare.
Gjatë takimit hapës, Guvernatori Ismaili vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm me FMN-në dhe mbështetjen profesionale e teknike të ofruar ndër vite. Ai prezantoi zhvillimet e fundit makroekonomike dhe theksoi stabilitetin e sektorit financiar në Kosovë, duke nënvizuar nivelin e lartë të kapitalizimit dhe likuiditetit në sektorin bankar.
Ismaili informoi misionin edhe për reformat në vazhdim në sektorin financiar, përfshirë forcimin e kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse, sigurinë kibernetike, modelimin makroekonomik dhe përdorimin e inteligjencës artificiale, reforma këto që mbështeten nga asistenca teknike e FMN-së dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë.
Nga ana e tij, Shefi i Misionit të FMN-së për Kosovën, David Amaglobeli, përgëzoi BQK-në për progresin e arritur në forcimin e institucioneve dhe për bashkëpunimin konstruktiv ndërmjet dy palëve. Diskutimet u përqendruan edhe në zbatimin e rekomandimeve të mëhershme dhe në mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit.
Misioni i FMN-së do të qëndrojë në Kosovë deri më 13 shkurt, gjatë së cilës do të zhvillojë takime edhe me institucione të tjera relevante të vendit.




