Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar opinionin publik se ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin dhe sigurimin e provave lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Sot, Policia ka intervistuar disa persona të dyshuar në Komunën e Obiliqit, lidhur me dyshimet për keqpërdorime ose falsifikime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike.
“Pas intervistimit, personat e dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet vazhdojnë me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.




