Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, morën pjesë në ceremoninë e përurimit të investimeve për rritjen e efiçiencës së energjisë në Shkollën e Mesme Ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë.
Kurti theksoi rëndësinë e këtyre investimeve për nxënësit dhe mësimdhënësit, duke vënë në pah se shkolla tani do të ketë kushte moderne për mësimdhënie dhe mësimnxënie.
Ai bëri të ditur se në katër shkolla të Podujevës janë investuar rreth 1,5 milion euro, duke përfshirë mbështetjen e Bashkimit Evropian, me qëllim përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe përgatitjen e rinisë për karrierë dhe zhvillim profesional.
Ministrja Rizvanolli theksoi se investimet synojnë rritjen e efiçiencës së energjisë dhe kursimin e faturave, duke përmirësuar kushte për nxënësit, mësimdhënësit dhe qytetarët.
Ajo bëri të ditur se gjatë mandatit janë investuar rreth 42 milionë euro në ndërtesa publike, banesa për familjet në nevojë dhe shtëpi individuale.
Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, falënderoi qeverinë dhe Fondin për Efiçiencë të Energjisë, duke vlerësuar se shkolla tani është pothuajse e re pas investimeve në izolim dhe përmirësim të infrastrukturës.




