Federata e Gjimnastikës e Kosovës (FGJK) shpalli Sara Pllanën Sportistja e Vitit 2025 gjatë ceremonisë së Laureatëve të Vitit 2025. Pllana u vlerësua për medaljen e parë Ballkanike të fituar për gjimnastikën kosovare dhe për kontributin e veçantë në zhvillimin dhe masivizimin e këtij sporti në vend.
Në ceremoni morën pjesë edhe drejtues të Komitetit Olimpik të Kosovës, ku presidenti Ismet Krasniqi nderoi ish-kryetarin e FGJK-së, Besim Halilaj, për rolin e tij në themelimin e Federatës dhe rritjen e numrit të klubeve nga 5 në 18, si dhe për përpjekjet për ndërkombëtarizimin e gjimnastikës në Kosovë.




