Në kuadër të “French Business Day”, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka theksuar se Kosova ofron një mjedis ekonomik dhe financiar të qëndrueshëm, duke e bërë vendin një destinacion tërheqës për investimet franceze dhe të huaja.
Ai vuri në dukje se ekonomia e Kosovës po funksionon mirë, me një rritje të qëndrueshme, edhe pse inflacioni mbetet pak më i lartë për shkak të faktorëve strukturalë.
Investimet e huaja direkte janë rritur ndjeshëm gjatë vitit të kaluar, dhe pritet të vazhdojnë të rriten edhe këtë vit.
Ismaili nënvizoi gjithashtu stabilitetin fiskal, harmonizimin e legjislacionit me standardet e BE-së, si dhe rëndësinë e sektorit bankar dhe institucioneve financiare në sigurimin e stabilitetit dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Ai shtoi se besimi i investitorëve dhe kapaciteti i tregut të punës janë faktorë kyç për tërheqjen e investimeve të huaja.
Guvernatori theksoi se Kosova është një mjedis miqësor për bizneset, me legjislacion të parashikueshëm dhe fiskalitet stabil, duke e bërë vendin një partner të besueshëm për investitorët nga Franca dhe Bashkimi Evropian.




