Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se procesi zgjedhor aktualisht gjendet në fazën e ankesave lidhur me rezultatet përfundimtare, të cilat janë shpallur nga KQZ më 31 janar 2026.
Ai ka sqaruar se, në bazë të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët e pakënaqura kanë të drejtë të paraqesin ankesa ndaj vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në Gjykatën Supreme, ndërsa afati për dorëzimin e tyre përfundon sot.
Sipas Elezit, pas përfundimit të kësaj faze dhe pasi vendimet të bëhen të plotfuqishme, KQZ do të vazhdojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.




