Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesin e posaçëm të Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, Anzhej Frangesh.
Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, palët diskutuan mbi zhvillimet e fundit politike në Kosovë, si dhe për situatën në rajon.
Bislimi ka theksuar rëndësinë e formimit sa më të shpejtë të qeverisë së re pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të mbajtura më 28 dhjetor.
Ai nënvizoi gjithashtu nevojën për funksionalizimin e Kuvendit, përfshirë ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe miratimin e Planit të Rritjes me Bashkimin Evropian.
Në fund të takimit, Bislimi e falënderoi përfaqësuesin slloven për vizitën dhe shkëmbimin e pikëpamjeve, duke i uruar qëndrim të suksesshëm gjatë vizitës në Kosovë.




