Policia e Kosovës në Prizren ka arrestuar tre persona të dyshuar për një rast grabitjeje, ndërsa një i dyshuar tjetër është shpallur në kërkim. Gjatë aksionit policor janë sekuestruar armë, maska dhe prova të tjera materiale.
Ngjarja ka ndodhur më 3 shkurt 2026, rreth orës 01:10, kur Policia ka pranuar ankesë nga dy viktima, një mashkull dhe një femër. Sipas deklarimeve të tyre, tre persona të maskuar dhe të armatosur me thikë dhe pistoleta, nën kërcënim, u kanë marrë një shumë parash.
Pas pranimit të rastit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, kanë nisur hetimet. Si rezultat i veprimeve intensive hetimore, janë identifikuar katër persona të dyshuar.
Njëri nga të dyshuarit është arrestuar pranë një lokali në Prizren, ku gjatë kontrollit i është gjetur një armë, ndërsa në automjetin e tij janë sekuestruar edhe një armë tjetër, dy maska, doreza dhe veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjes. Dy të dyshuar të tjerë janë arrestuar në një lokacion tjetër të qytetit.
Me urdhër të Prokurores së rastit janë kryer bastisje në shtëpi dhe lokale, ku janë siguruar prova shtesë. Dy nga të dyshuarit, në prani të avokatëve mbrojtës, kanë pranuar kryerjen e veprës penale.
Me vendim të Prokurorit kujdestar, tre të dyshuarit K.K. (20 vjeç), Sh.G. (20 vjeç) dhe L.G. (36 vjeç) janë ndaluar për 48 orë, ndërsa i dyshuari i katërt, V.S., ndodhet në arrati dhe po kërkohet nga Policia.
Hetimet për këtë rast po vazhdojnë nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit.




