Sekretari i Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Ricardo Gutierrez, ka reaguar ashpër ndaj paralajmërimit të Presidencës së Kosovës për veprime ligjore kundër gazetarit gjerman Michael Martens.
Gutierrez e ka cilësuar këtë paralajmërim si të papranueshëm dhe të turpshëm, duke theksuar se liria e medias përfshin të drejtën e gazetarëve për të komentuar zhvillimet politike dhe figurat publike.
Sipas tij, gazetarët kanë të drejtë të shprehin mendime për ambiciet politike të presidentes Vjosa Osmani, përfshirë edhe diskutimet mbi një mandat të mundshëm të dytë, si dhe për pozicionimet apo lidhjet e saj politike në arenën ndërkombëtare.
“Në Kosovë, kërcënimet për veprime ligjore nga presidenca ndaj një gazetari janë po aq qesharake sa edhe të turpshme. Gazetarët kanë të drejtë të komentojnë dëshirën e presidentes për t’u rizgjedhur dhe orientimet e saj politike”, ka shkruar Gutierrez në reagimin e tij publik.




