Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka bërë të ditur se ka paraqitur dy ankesa në Gjykatën Supreme, duke kundërshtuar atë që e cilëson si shkelje serioze ligjore në procesin zgjedhor.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haxhiu njoftoi se ankesat lidhen me pranimin e mbi 23 mijë pakove me fletëvotime përmes postës pas afatit ligjor, si dhe me përllogaritjen e gabuar të mandateve për Kuvendin e Kosovës.
Sipas tij, këto veprime kanë ndikuar drejtpërdrejt në ndarjen e mandateve, duke deformuar rezultatin përfundimtar dhe duke cenuar parimin e barazisë së votës dhe të drejtën kushtetuese për t’u zgjedhur.
Haxhiu ka kërkuar nga Gjykata Supreme që të veprojë me përgjegjësi institucionale dhe të garantojë mbrojtjen e demokracisë, në mënyrë që çdo votë të ketë peshë të barabartë dhe rezultati zgjedhor të reflektojë vullnetin real të qytetarëve.
Ai theksoi se do ta vazhdojë këtë betejë ligjore deri në fund, duke nënvizuar se demokracia mbrohet përmes ligjit, drejtësisë dhe guximit institucional.




