Federata e Boksit e Kosovës ka shpallur laureatët e çmimeve vjetore për vitin 2025 në një ceremoni solemne të mbajtur në Prishtinë.
Boksierja më e mirë e vitit u shpall Donjeta Sadiku, ndërsa çmimin për boksierin më të mirë e fitoi Shpëtim Bajoku.
Përveç dy çmimeve kryesore, FBK-ja vlerësoi edhe kontributin e trajnerëve, gjyqtarëve, klubeve dhe punëtorëve sportivë.
Trajnerja më e mirë u shpall Marjola Sallauka, gjyqtari më i mirë për kontribut ndërkombëtar Latif Demolli, ndërsa për kontribut vendor Granit Qorri. Çmimi për punëtorin më të dalluar i takoi Halil Kurhaskut, kurse klubi më aktiv i vitit u shpall K.B. “Gjakova 137”.
Federata ndau gjithashtu mirënjohje për boksierët më të dalluar në kategoritë Seniorë, U18, U16 dhe U14, si dhe për sportistë premtues në kategorinë “Shpresa e Boksit”. Me respekt të veçantë u nderuan edhe Nazif Gashi dhe Shkelzen Riza (pas vdekjes) për kontributin e tyre në zhvillimin e boksit.
Kryetari i FBK-së, Enver Krasniqi, falënderoi institucionet dhe partnerët për mbështetjen, duke theksuar se aktivitetet për vitin 2025 janë përmbyllur me sukses dhe se pritjet për vitin 2026 mbeten të larta.




