Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendësministren në detyrë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, ka pritur anëtarët e klubit alpin “Prishtina”, të cilët po përgatiten për një ekspeditë në Tanzani, me synim ngjitjen e majës së Kilimanxharos.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e klubit e njoftuan Kurtin për përgatitjet dhe planin e udhëtimit, duke theksuar se ngjitja në majën prej 5,895 metrash është planifikuar të realizohet në ditën e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Alpinistët thanë se kjo nismë ka për qëllim promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare përmes sportit dhe alpinizmit.
Duke i falënderuar për vizitën, Kurti i përgëzoi për angazhimin e tyre dhe u uroi sukses e kthim të sigurt në këtë ekspeditë, të cilën e cilësoi si një përfaqësim domethënës të vendit.




