Në një adresim në Parlamentin Evropian, gjatë një konference të organizuar nga grupi parlamentar Renew Europe, Besiane Musmurati nga Partia Demokratike e Kosovës ka ngritur shqetësime për, siç u shpreh ajo, rritjen e prirjeve autoritare në qeverisjen e fundit në Kosovë.
Ajo theksoi nevojën për monitorim të vazhdueshëm ndërkombëtar, duke vlerësuar se në vend po krijohet një qasje qeverisëse që rrezikon standardet demokratike.
Musmurati përmendi disa çështje kryesore, përfshirë pretendimet për shkelje të rendit kushtetues, presion mbi institucionet e pavarura dhe dobësim të lirisë së medias.
Sipas saj, ndërhyrjet ndaj gjyqësorit dhe kritikat publike ndaj prokurorëve e gjyqtarëve po e dëmtojnë rëndë funksionimin e shtetit të së drejtës.
Ajo po ashtu theksoi se raportet ndërkombëtare kanë evidentuar rënie të lirisë së medias në Kosovë.
Në përfundim, Musmurati theksoi se orientimi euroatlantik dhe vlerat perëndimore duhet të mbeten udhërrëfyes për Kosovën, duke nënvizuar se liria dhe demokracia janë po aq të rëndësishme sa vetë shteti./EO/




