Sytë janë organe shumë të ndjeshme dhe të ekspozuara ndaj problemeve të ndryshme shëndetësore, të cilat mund të shfaqen me dhimbje dhe çrregullime të shikimit. Një nga shqetësimet më të zakonshme është ndjesia e presionit apo tensionit të fortë në sy, e shoqëruar shpesh me dhimbje të mprehta.
Presioni në sy përshkruhet si ndjesi tendosjeje brenda syrit dhe mund të ketë shkaqe të ndryshme shëndetësore.
Shkaqet më të shpeshta të presionit në sy
Ekspertët vlerësojnë se ky problem mund të lidhet me dhimbje koke, infeksione të sinuseve, probleme dentare ose dëmtime të nervit optik.
Infeksionet e sinuseve: Shkaktohen nga bakteret që prekin zonën rreth hundës, syve dhe mollëzave, duke sjellë dhimbje, bllokim të hundës, sekrecione, kollë, temperaturë dhe lodhje.
Dhimbjet e kokës: Shpesh shoqërohen me presion në sy, skuqje, enjtje të fytyrës, tension në qafë dhe shpatulla.
Sëmundjet autoimunitare: Mund të shkaktojnë inflamacion prapa syrit dhe dëmtim të nervit optik, duke sjellë rënie të shikimit, vështirësi në dallimin e ngjyrave dhe dhimbje të syve.
Dhimbjet e dhëmbit: Problemet me dhëmbët ose nofullën mund të tensionojnë muskujt e fytyrës dhe të nxisin dhimbje koke, duke rritur presionin në sy.
Kur duhet të konsultoheni me mjekun
Ndihma mjekësore është e domosdoshme nëse presioni në sy shoqërohet me temperaturë të lartë, turbullim ose humbje të shikimit, dhimbje të forta koke apo humbje të ndjeshmërisë në pjesë të trupit.
Masat lehtësuese në kushte shtëpie
Specialistët rekomandojnë një ushqyerje të shëndetshme, të pasur me vitamina C, E dhe A, si dhe me minerale si zinku, bakri dhe seleniumi.
Këshillohet shmangia e konsumit të tepruar të kafeinës, pirja e mjaftueshme e lëngjeve dhe gjumi me kokën lehtësisht të ngritur për të ulur presionin gjatë natës.
Nëse përdoren medikamente ose pika për sytë, ato duhet të merren strikt sipas udhëzimit, pasi përdorimi i gabuar mund të dëmtojë nervin optik.




