Gjykata Themelore në Gjakovë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 22 personave të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit në këtë komunë.
Vendimi është marrë pas tri seancave dëgjimore të mbajtura mbrëmë, ku gjyqtari i procedurës paraprake, Drilon Haraçia, ka vlerësuar se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për paraburgim. Në vend të kësaj mase, gjykata ka caktuar masën e paraqitjes së detyrueshme në stacion policor.
Sipas dyshimeve të Prokurorisë, të pandehurit, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve të numërimit të votave dhe me autorizim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dyshohet se kanë ndërhyrë në mënyrë të kundërligjshme në procesin e numërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit në Gjakovë, e vendosur në palestrën sportive “Shani Nushi”, duke cenuar integritetin e procesit zgjedhor dhe vullnetin e lirë të votuesve.
Me vendim të gjykatës, të dyshuarit janë obliguar të paraqiten rregullisht në stacionin policor për një periudhë njëmujore, nga 6 shkurti deri më 5 mars 2026.
Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës, brenda afatit të paraparë ligjor.




