Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat për indeksin e çmimeve të inputeve në bujqësi për tremujorin e katërt të vitit 2025, duke evidentuar rritje të çmimeve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Sipas ASK-së, të dhënat janë mbledhur në barnatore bujqësore, farmaci veterinare, kompani, tregje dhe pika të tjera ku shiten inpute bujqësore në gjithë territorin e Kosovës.
Gjatë TM4 2025, Indeksi i Input 1, që përfshin mallrat dhe shërbimet e konsumit të përditshëm në bujqësi, ka shënuar rritje prej 4.3 për qind krahasuar me TM4 2024. Ndërkohë, Indeksi i Input 2, i cili përfshin mallrat dhe shërbimet që lidhen me investimet bujqësore, është rritur për 3.7 për qind.
Indeksi i përgjithshëm i inputeve bujqësore ka shënuar një rritje vjetore prej 4.0 për qind.
ASK sqaron se Input 1 përfshin farërat dhe materialin mbjellës, energjinë dhe vajrat, plehrat dhe përmirësuesit e tokës, pesticidet, shpenzimet veterinare, ushqimin e kafshëve, si dhe shërbimet e mirëmbajtjes.
Ndërsa Input 2 përfshin makineritë, pajisjet, ndërtesat dhe investimet tjera infrastrukturore në bujqësi.




