Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka reaguar pas gjetjes së trupit të Jurgen Karajt, 30-vjeçarit që ra në lumin Mat më 10 janar së bashku me shokun e tij.
“Njësitë e specializuara të Kërkim-Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në bashkëpunim me njësitë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, pas disa ditësh kërkimi në një terren sfidues dhe të vështirë, arritën të lokalizonin trupin e pajetë të Jurgen Karajt në afërsi të fshatit Urakë. Pas evakuimit, ai iu dorëzua Policisë së Shqipërisë dhe ekipit të forenzikës për procedurat e mëtejme”, shkruan Maqedonci.
Ai shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e viktimës.




