Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka reaguar ndaj fjalës përfundimtare të kryeprokurores Kimberly West në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke e quajtur atë “skandaloze”. West kërkoi 45 vjet burg për secilin prej të akuzuarve, ose gjithsej 180 vite burg, një kërkesë që sipas Gucatit, kënaq Serbinë dhe kundërshtarët e Kosovës./EO/
Gucati kritikoi gjithashtu deklaratat e West për pjesëtarët e UÇK-së dhe për mungesën e njohjes së UÇK-së nga disa diplomatë, duke theksuar se kjo është e pavërtetë, pasi NATO dhe gjenerali Wesley Clark kanë bashkëpunuar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës. Ai shtoi se UÇK ka pasur përkrahje ndërkombëtare dhe se përpjekjet për ta paraqitur ndryshe janë të papranueshme.




