Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka hapur hetime me vetiniciativë lidhur me procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit në Qendrën Komunale të Numërimit në Dragash.
Hetimet po zhvillohen në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, pas pranimit të informatave publike dhe me autorizim të Kryeprokurorit Petrit Kryeziu.
Sipas Prokurorisë, dyshohet për shkelje të të drejtave të votimit, të parashikuara në Kapitullin XVIII të Kodit Penal të Kosovës. Pas intervistimit të të dyshuarve në polici, do të lëshohet komunikatë shtesë për veprimet e mëtejshme hetimore në komunën e Dragashit.




