Prokuroria Themelore në Prizren ka nisur hetime me vetiniciativë lidhur me dyshimet për parregullsi gjatë rinumërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit në Suharekë.
Hetimet po zhvillohen në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Rajonale në Prizren, pas informatave të bëra publike për këtë proces.
Sipas njoftimit zyrtar, në kuadër të hetimeve janë intervistuar gjithsej 72 persona të dyshuar. Prej tyre, 19 persona janë ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve.
Ndalesat janë bërë për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afateve ligjore do të vlerësohen masat e mëtejme procedurale për sigurimin e prezencës së të dyshuarve.
Në fund, Prokuroria dhe Policia e Kosovës kanë theksuar përkushtimin e tyre për mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe garantimin e votës së lirë e demokratike.




