Oda Ekonomike Shqiptare ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë në Gjykatën Speciale që katër ish-udhëheqës të UÇK-së të dënohen me nga 45 vjet burgim secili.
Në reagimin e saj, Oda e cilëson këtë kërkesë si joproporcionale dhe në kundërshtim me parimet e drejtësisë ndërkombëtare. Sipas tyre, një vendim i tillë rrezikon të barazojë luftën çlirimtare me agresionin shtetëror të Serbisë.
Oda thekson se UÇK-ja ishte përgjigje ndaj shtypjes dhe krimeve sistematike ndaj shqiptarëve dhe se goditja e figurave kryesore të saj mund të dëmtojë besimin në drejtësinë ndërkombëtare, si dhe stabilitetin politik e institucional të Kosovës.
Në fund, bëhet thirrje për një proces të drejtë, të paanshëm dhe të bazuar në fakte, në respekt të së vërtetës historike dhe dinjitetit të luftës çlirimtare.




